Të rinjtë nuk duhet të presin që dikush t’u thotë se kanë mjaftueshëm përvojë, se janë mjaftueshëm të kualifikuar apo mjaftueshëm “seriozë” për të krijuar diçka.
Kam filluar të mendoj më shumë për këtë përmes projekteve kulturore në të cilat kam qenë e përfshirë gjatë viteve të fundit. Jam 21 vjeç dhe studioj Multimedia dhe Menagjment në RIT Kosovo. Më pëlqejnë fotografia, dizajni, filmi dhe forma të tjera të punës kreative, por nuk e shoh domosdoshmërisht veten duke u bërë artiste profesioniste. Megjithatë, kultura është bërë një pjesë e rëndësishme e asaj që bëj.
Si njëra nga bashkëthemelueset e Iniciativës për Zgjidhje Inovative, IZI, kam qenë e përfshirë në projekte të ndryshme kulturore, nga bashkëkurimi i ekspozitës Piecemeal Utopia deri te zhvillimi i teatrit pjesëmarrës në Rahovec. Përmes këtyre projekteve, fillova të kuptoj sa shumë punë ndodh përpara se publiku ta shohë rezultatin përfundimtar. Dikush duhet ta gjejë hapësirën, t’i dërgojë email-et, të aplikojë për financim, t’i përgatisë materialet vizuale, ta krijojë buxhetin dhe, në një mënyrë apo tjetër, ta kthejë një ide në diçka reale.
Një projekt që vërtet e ndryshoi mënyrën se si mendoja për këtë ishte Utopian Kosova. Ideja filloi nga një bisedë e thjeshtë. Po flisnim për kulturën në Kosovë dhe po përpiqeshim të mendonim për një projekt që mund ta krijonim. Kosovës nuk i mungon kultura. Ka festivale, ekspozita, performanca, artistë dhe të rinj që vazhdimisht krijojnë gjëra të reja. Por vazhdimisht ktheheshim te një pyetje tjetër: çfarë do të donim ne që të ekzistonte?
Kjo pyetje përfundimisht u shndërrua në Utopian Kosova, një koncept të artit bashkëkohor për të rinjtë, i krijuar për t’i dhënë hapësirë fotografisë, shkrimit, punës vizuale, performancës dhe formave të tjera të shprehjes kreative, duke u mundësuar të rinjve të eksperimentojnë dhe t’i zhvillojnë idetë së bashku.
Për mua, pjesa më e rëndësishme ishte se askush nuk na dha zyrtarisht leje për të filluar. Askush nuk na tha se ideja ishte mjaftueshëm e mirë apo se kishim përvojë të mjaftueshme për ta realizuar. Ne thjesht vazhduam të flisnim për të, të ndryshonim gjëra, të mos pajtoheshim, të përpiqeshim t’i kuptonim gjërat dhe, dalëngadalë, ta kthenim në diçka ku edhe të tjerët mund të bëheshin pjesë.
Kjo më bëri të kuptoj se një hapësirë kulturore nuk duhet gjithmonë të jetë teatër, galeri apo qendër kulturore. Mund të jetë edhe një punëtori në një dhomë të huazuar, një ekspozitë e përkohshme, një shfaqje filmi, një platformë online apo thjesht një grup njerëzish që mblidhen për të provuar diçka.
Të rinjtë duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë pa pasur nevojë që fillimisht të dëshmojnë se kanë vite të tëra përvojë para se dikush t’i marrë seriozisht. Projektet që i bëjnë bashkë të rinjtë përmes artit, dialogut dhe bashkëpunimit janë të rëndësishme pikërisht për këtë arsye: u japin njerëzve hapësirë për të provuar, për të krijuar dhe për t’u përfshirë para se të ndihen plotësisht të gatshëm.
Sigurisht, të krijosh diçka vetë tingëllon shumë më emocionuese sesa është ndonjëherë në realitet. Pothuajse çdo ide kreative, herët a vonë, përfundon përballë një tabele me numra. Dikush duhet ta gjejë hapësirën, ta përllogarisë buxhetin, t’i sjellë pajisjet dhe të shqetësohet nëse në fund do të vijë dikush apo jo. Edhe kjo ka rëndësi, sepse fakti që të rinjtë krijojnë hapësirat e tyre nuk do të thotë se institucionet mund thjesht të tërhiqen dhe të presin që ne të bëjmë gjithçka vetë. Projektet e përkohshme nuk mund t’i zëvendësojnë hapësirat e mirëfillta kulturore, financimin e qëndrueshëm apo mbështetjen afatgjatë.
Ajo që institucionet dhe organizatat mund të bëjnë është t’ua lehtësojnë të rinjve mundësinë për të provuar. Ndonjëherë kjo mund të jetë aq e thjeshtë sa t’i lejojnë një grupi ta përdorë një hapësirë për një mbrëmje, t’u huazojnë pajisje, t’u ofrojnë një shumë të vogël financimi apo thjesht ta marrin seriozisht një ide ende të papërfunduar, në vend që ta hedhin poshtë vetëm sepse nuk është zhvilluar plotësisht.
Kjo m’u kujtua gjatë një rezidence në Beograd, kur vizitova Silosi, një ish-hapësirë industriale që është shndërruar në hapësirë kulturore. Ajo që më mbeti në mendje ishte ideja e thjeshtë pas saj: dikush e pa një vend të ndërtuar për një qëllim të caktuar dhe mendoi se ai mund të bëhej diçka tjetër. Mendoj se të rinjtë shpesh bëjnë të njëjtën gjë, edhe pa pasur një ndërtesë. Ne shohim atë që tashmë ekziston, vërejmë atë që mungon dhe përpiqemi të krijojmë diçka rreth asaj mungese.
Jo çdo i ri i përfshirë në kulturë dëshiron të bëhet artist. Disa janë thjesht kureshtarë. Disa duan të eksperimentojnë. Disa mund të përfundojnë më vonë duke bërë diçka krejtësisht tjetër. Nuk mendoj se kjo e bën përfshirjen e tyre më pak të rëndësishme.
Ende nuk mendoj se arti do të bëhet profesioni im. Por gjithashtu nuk mendoj se kjo do të thotë se kultura është hapësira e dikujt tjetër. Ndonjëherë, të krijosh pa leje thjesht do të thotë ta kuptosh se nuk ke pse të presësh që dikush tjetër të të ftojë brenda.
